Moti i keq ka shkaktuar pezullimin e përkohshëm të lundrimit të trageteve nga porti i Durrësit drejt Barit, për shkak të mbylljes së këtij të fundit. Lajmi është bërë i ditur nga Autoriteti Portual i Durrësit.
Dy tragetet e parashikuara për t’u nisur mbrëmjen e sotme e kanë anuluar lundrimin, ndërsa trageti i linjës Durrës-Ankona ka lënë portin rreth orës 17.00, pasi situata në portin e vendit fqinjë paraqitet më e normalizuar.
Mësohet se agjencitë lundrimore kanë bërë njoftimin e të gjithë pasagjerëve për këto ndryshime, deri në një njoftim të dytë për rikthimin në normalitet.
Ndërkohë, trageti i linjës Durrës-Ankona është nisur pa problem drejt destinacionit, sot në orën 17:00, pasi situata në këtë port paraqitet më e qetë.
Kujtojmë se sipas meteorologëve dita e nesërme dhe e premtja do të karakterizohen nga temperatura tepër të ulëta.