Për 50 vite, Xhudi dhe Xheri Grifin u kanë treguar miqve dhe familjarëve se si ishin njohur në festivalin e Udstok në vitin 1969, që ditë e parë që u hap, dhe që atëherë kanë qenë gjithnjë bashkë.
I vetmi pendim që kishin: mungesa e një prove reale për përrallën e bukur që tregonin. Por 50 vite më pas, fati u troket në derë. Fare rastësisht ata gjejnë foton që ua kishte bërë dikush para 50 vitesh.
Festivali i Udstokut festoi 50 vjetorin më 15 Gusht të vitit 2019. Pasi u hap, ai mori përmasa të stërmëdha, duke mbledhur jashtëzakonisht shumë dashamirës të muzikës, e duke u bërë kështu festivali më i famshëm në histori.
Të rinjtë mblidheshin për ditë të tëra në fushën e madhe, rrinin në tenda, duke ngrënë e duke pirë shumë pak, vetëm për të dëgjuar grupet e tyre të preferuara dhe për t’ia kaluar mirë me shoqërinë.
Xhudi, sot 71 vjeçe, e takoi Xherin pikërisht në ditën e parë të këtij festivali, kur makina e saj u prish rreth 150 km larg koncertit. Ajo dhe dy të njohur vendosën të shkojnë me autostop.
Xheri dhe miqtë e tij ndaluan me makinën e tyre dhe Xhudi kishte pranuar të ngjitej pasi kishte parë një vajzë tjetër brenda në makinë, ndaj ishte ndier më e sigurt.
72-vjeçari Xheri thotë që u ndie me fat kur në makinë hipi Xhudi, pasi ai kishte tentë me vete, ndërsa ajo jo, dhe mund ta ftonte që të njiheshin më mirë.