Lajme

Grenell: Kadri, SHBA’ja është duke kërkuar heqjen e taksës dhe Albini ka të drejtë

Përfaqësuesi Special Presidencial i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, ka reaguar pas qëndrimit të djeshëm të kreut të opozitës, Kadri Veseli, pasi ky i fundit ka thënë se Albin Kurti nuk duhet të ngutet për ta hequr taksën ndaj Serbisë.

Grenell në një reagim në llogarinë e tij zyrtare në twitter i është drejtuar Kadri Veselit duke i thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar heqjen e taksës dhe se Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se do ta heqë atë.

“Kadri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kërkojnë Kosovës që ta heqin taksën 100 %. Po e dëmton Kosovën dhe po pengon bizneset të krijojnë vende të reja të punës. Albini ka të drejtë këtu”, ka shkruar Grenell.

Veseli në reagimin e tij të djeshëm i ka thënë Kurtit se nuk duhet të dorëzohet përpara Serbisë, duke aluduar në mos heqjen e taksës.

“Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, kishte shkruar Veseli.

Grenell heqjen e taksës e ka kërkuar edhe përgjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, ndëkrohë kishte thënë se është i përkushtuar për një rinisje të negociatave Kosovë-Serbi, përmes bashkëpunimit ekonomik.

Heqjen e taksës e kërkon edhe Gjermania e kancelares gjermane, Angela Merkel. Sipas tyre është një hap shumë i rëndësishëm për rinisjen e dialogut./

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

MË TË LEXUARAT

To Top