Mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur” ishte e ftuar, Silvana, një vajzë që kishte 7 vite që nuk fliste më me mamanë dhe vëllain e saj për shkak të lidhjes së re që kishte krijuar. Silvana kishte qenë e martuar në Greqi dhe kishte rënë në dashuri me dikë tjetër me të cilin kishte sjellë në jetë një vajzë.
Silvana ftoi në studio, mamanë e saj, Fatmirën për t’i kërkuar një mundësi që të ribashkohen përsëri. Silvana tregoi se prindërit e kishin fejuar që në moshën 10 vjeçare. Por nëna e saj Fatmira i përgënjeshtroi ato që tha e bija. “Është fejuar me dëshirën e saj, madje shpeshherë më thoshte është jeta ime e di unë se çfarë bëj, mos ndërhyni!”, tha Fatmira.
Gjatë debatit në studio, nënë e bijë zbuluan se kishin mosmarrëveshje edhe për pronësinë e shtëpisë. Silvana kërkonte një pjesë të shtëpisë ku jeton mamaja dhe vëllai i saj, pasi pretendonte se shtëpia ishte ndërtuar nga paratë që ajo i’u kishte dërguar. Fatma tha se shtëpia ku banonte ishte ndërtuar nga kontributi i saj dhe babait të Silvanës.
Arbana Osmani u mundua që gjatë gjithë kohës të pajtonte nënë e bijë, por Fatmira refuzoi dhe u largua pa i dhuruar një përqafim vajzës së saj.
Burimi: top-channel.tv