Kritikat për kryeministrin dhe kryeparlamentaren, Haradinaj po i bën kryesisht për shkak të qëndrimit të tyre ndaj vendimit të tij për taksë 100 për qind ndaj Serbisë, njofton Klan Kosova.
“Sot shteti është i kapur prej dy njerëzve, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Për mua është e pabesueshme të besoj që pjesa tjetër e LDK-së i përkrahin logjikën e tyre që të na kthejnë në këto procese”.
Haradinaj në Zonën e Debatit tha se shkarkimet që po bëhen nga Qeveria e Kurtit po bëhen për një qëllim – “të mos ia zbulojnë dallaveret e tyre”.
“Po i shkarkojnë sepse duan të punojnë me njerëz të besueshëm që të mos iu dalin dallaveret. E këtë di sepse duhet të kesh ministra të besueshëm. Unë asnjë zyrtar të LDK-së kur kam ardhur në qeveri s’e kam larguar nga puna. I kam njohur për aktivitetin e tyre politik, por s’e kam bërë”.
Haradinaj shtoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje ka dalë më mirë se herëve të kaluara dhe për këtë nuk sheh regres në suksesin e saj.
“AAK ka 30 mijë vota më shumë se në zgjedhjet tjera. Tani kemi 13 deputetë dhe ky është rezultati i AAK-së. Po ashtu mund të them se AAK nuk është votuar vetëm për temën e taksës. Por nuk mund të themi se kjo temë ka qenë me rëndësi për Vetëvendosjen dhe LDK-në. Ata fituan duke kritikuar keqqeverisjen tonë dhe problemet sociale, si dhe duke flirtuar me krejt rrymat e mundshme. Por të thuhet se e fituan votën me argumentin e reciprocitetit, kjo s’është e vërtetë. Këtë temë e kanë pasë periferike”.
Ndërsa, për akuzat e shpenzimit të parave, Haradinaj u përgjigj se këto ishin jo të drejta duke thënë se paratë i shkuan popullit.
“Është marre më dhënë Kosova më pak pare se Serbia për tërmetin në shqipëri. Nuk janë pare të humbura, por ato para shkojnë te motrat dhe vëllezërit tonë”.