Ramush Haradinaj dhe Sali Berisha u përplasen të enjten në “prime time” në dy televizionet kombëtare më të mëdha në Shqipëri.
Kryeministri i Kosovës ishte i ftuar përballë analistëve në Top Channel në emisionin OPEN të Eni Vasilit, ndërsa ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ishte i ftuar në emisionin OPINION të Blendi Fevziut në Tv Klan.
Po cili nga televizionet e fitoi betejen e audiencës të së enjtës?
Ka disa mënyra për të matur audiencën. Njëra prej tyre është përmes videove të publikura në Facebook apo You Tube.
Dy televizionet kanë shpërndarë video të shkurtra në kanalet e tyre zyrtare në You Tube. Konkretisht, Top Channel ka hedhur 13 video, ndërsa TV Klan 4 më shumë, 17 video gjithsej. Gazeta SHQIP ka bërë një analizë të shifrave bazuar mbi klikimet dhe na rezulton se videot e ngarkuara nga Top Channel, janë shikuar nga 348 912 persona.
Ndërsa videot e ngarkuara nga Tv Klan janë shikuar nga 143 758 persona. Siç na tregojnë shifrat, videot e Top Channel rezultojnë më të ndjekura nga shqiptarët, me një diferencë prej 205 154 shikime.
Nëse do i referohemi numrit të videove të ngarkuara, interesi për të ndjekur emisionin OPEN në Top Channel është edhe më i lartë, edhe pse me 4 video më pak.
Pikat e forta të debatit
Ardhja në Shqipëri e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj pritej me shumë kureshtje nga qytetarët, kjo për shkak edhe të përplasjeve të tij të vazhdueshme me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, së fundmi e paditi në gjykatë homologun nga Kosova, për shpifje.
Nga emisioni OPEN, Haradinaj foli gjatë rreth kësaj teme ku tregoi përplasjet dhe “iniciativat e Ramës për ndarjen e Kosovës”. Kjo solli edhe një debat të ashpër të Haradinajt me analistin Baton Haxhiu, të cilin e quajti mercenar të Ramës. Haradinaj foli edhe për qeverinë e re të Kosovës dhe për vendosmërinë e tij për të mos hequr taksën 100% deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.