Tërmeti me magnitudë 4.9 që goditi sot vendin ka shkaktuar jo pak panik dhe frikë tek qytetarët.
Mijëra qytetarë në Durrës e Tiranë, por jo vetëm, dolën me vrap nga banesat e tyre, duke mbushur rrugët, pas lëkundjeve të fuqishme që u regjistruan rreth orës 21:15 dhe zgjatën pak sekonda.
Në lidhje me tërmetin e mbrëmjes së kësaj të marte ka reaguar edhe sizmologu i njohur, Rrapo Ormeni.
Në një lidhje telefonike për emisionin “Opinion”, sizmologu tha se ky tërmet është në vijimësi të pasgoditjeve nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ndër të tjera, Ormeni theksoi se në asnjë rast nuk mund të parashikohet saktësisht se si do të jetë vijueshmëria.
Referuar statistikave, sizmologu thotë se pasgoditjet kanë ardhur duke u zvogëluar, por herë pas here ka rënë edhe ndonjë me magnitudë më të madhe.
Ai tha:
Ishte një tërmet me magnitudë 4.9 të shkallës Rihter në zonën ku ka rënë dhe tërmeti i 26 Nëntorit, i cili u shoqërua dhe me një pasgoditje tjetër me magnitudë 4.2 Rihter. 4.9 është lëkundje që ndihet, e atij niveli që kanë rënë edhe pas 26 Nëntorit. Kanë veçoritë e tyre, në momente të caktuara vjen tendenca në shuarje por do ketë dhe të tilla. Kuptohet që në asnjë rast nuk mund të parashikosh në mënyrë të saktë si është vijueshmëria. Në mënyrë statistikore, ato kanë ardhur duke u zvogëluar, por herë pas herë ka rënë dhe ndonjë me magnitudë më të madhe.”