Media prestigjoze “The Independent” ka publikuar historinë e pazakontë të një të riu shqiptar me nënshtetësi britanike.
Bëhet fjalë për 33-vjeçarin, Fatush Lala, të cilit i është bllokuar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar, pasi Zyra e Brendshme i shpalli të pavlefshme pasaportën e tij pa asnjë paralajmërim, duke i hequr nënshtetësinë britanike.
Ai ndodhej në Bruksel kur zbuloi vendimin e paprecedentë të autoriteve britanike, për t’i hequr nënshtetësinë.
Teksa po i hipte aeroplanit për t’u rikthyer në Londër, ku jeton që prej moshës 14-vjeçare, zyrtarët e kufirit në Aeroportin e Brukselit i thanë se nuk mund të shkojë në Mbretërinë e Bashkuar.
Lala është detyruar që të jetojë në rrugët e kryeqytetit belg për më shumë se tre javë.
Ai ka komunikuar me një deputet, i cili i ka dërguar një letër Zyrës së Brendshme për të sqaruar situatën.
David Lammy, deputet në Tottenham tha se është “jashtëzakonisht çnjerëzore” për qeverinë që i ka ndaluar hyrjen dikujt që ka mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar si i mitur dhe ka jetuar aty prej 20 vjetësh.
33-vjeçari, i cili lindi në Serbi, por u transferua në Mbretërinë e Bashkua dhe natyralizua, tha se shkoi në ambasadën britanike për të kërkuar ndihmë, për t’u ankuar për problemin e tij.
Ai tha që stafi i ambasadës e këshilloi të shkonte në një bamirësi për refugjatë të pastrehë, ku ai priti shtatë orë, para se t’i thuhej se nuk kishte të drejtë për ndihmë, pasi nuk e plotësonte kriterin e të qenit migrant.
Teksa komentoi momentin kur iu hoq pasaporta nga autoritetet britanike, Lala tregoi situatën e vështirë me të cilën po përballet prej tre javësh.
Ai shprehet:
Po përjetoj një makth të vërtetë! Nuk mund ta besoj dot që ka ndodhur. Unë po lëviz nga një vend në vendin tjetër. Është shumë ftohtë. Jam përpjekur të gjej vende të ngrohta në stacionet e trenave dhe kafenetë. Nuk di ç’të bëj tjetër. Ndihem i pafuqishëm, s’di më ku të shkoj.
33-vjeçari shqiptar kishte udhëtuar për të kaluar disa ditë pushime në Bullgari me gruan e tij, e cila është nga ky vend, më 20 janar, kur iu tha që ai nuk mund të hipte në fluturim.
Gruas së tij i lejohej kthimi, por ajo u kthye sërish në Londër pas frikës së Brexit.
Zyra e Brendshme kishte dërguar në adresë të gabuar një letër, në të cilën 33-vjeçari do të njoftohej për shpalljen e pavlefshme të pasaportës së tij.
Në letër thuhet se pasaporta e tij në Mbretërinë e Bashkuar “nuk duhej të ishte lëshuar”, pasi ai natyralizohej me një identitet që “bie ndesh me identitetin e tij të vërtetë”.
Në pasaportën e tij thuhet se ai ka lindur në vitin 1986 në Serbi, por Zyra e Brendshme beson se Lala ka lindur në vitin 1985 në Shqipëri.
Në letër nuk jepen shpjegime se si Ministria e Brendshme i ka marrë këto informacione, por thuhet vetëm që ai nuk duhet ta përdorë pasaportën për udhëtime.
33-vjeçari mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar që kur ishte i mitur, pasi u nda nga familja e tij gjatë luftës në Kosovë.
Ai ndoqi shkollën, kolegjin dhe universitetin në Londër, përpara se të merrte nënshtetësinë britanike, në të njëzetat e hershme.
Më tej ai tha për prestigjozen britanike:
S’kam jetë askund tjetër. Londra është vendi ku kam ndërtuar lidhjet dhe marrëniet e mia të ngushta. Kam kaluar 20 vitet më të mira të jetës sime në Londër dhe kurrë nuk kam pasur asnjë problem. Mua nuk më lidh asgjë me Serbinë. Nuk kam askënd atje. Nuk mendoj se është e sigurt për mua të jem atje. Kjo është arsyeja pse unë u largova. Asnjë fëmijë i moshës 14-vjeç nuk do dëshironte të largohej, përveçse nëse do të detyrohej nga rrethanat.
Ai shtoi:
Është e padrejtë mënyra se si pasaporta ime u shpall e pavlefshme. Të paktën të isha paralajmëruar në aeroport para se të largohesha nga Londra, e të më tregonin që mund të përballesha me ndonjë telash kur të kthehesha. Ende nuk e besoj që një vend i shkëlqyer si Anglia po e bën këtë gjë, nuk më duket e vërtetë.
Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha që departamenti nuk bën komente për çështje individuale.