Koronavirusi ka mbërritur zyrtarisht edhe në shtetin fqinj, Itali. Testi i bërë mbi dy pacientë kinezë, të cilët shfaqën simotomat e para të virusit, rezultuan pozitive. Ata janë shtruar në spitalin e Romës.
Çifti burrë e grua kishin ardhur nga Wuhan në Milano më 23 janar dhe kishin bërë disa ndalesa nëpër shtetin italian, përpara se të vendoseshin në një hotel në kryeqytetin italian rreht 4 ditë më parë.
Bashkë me ta, nën vëzhgim janë marrë edhe 18 qytetarë të tjerë, të cilët ishin pjesë e të njëjtit grupi pushuesish në Romë. Një rast i dyshuar është edhe në zonën e Venetos. Bëhet fjalë për një minoren nga Trevigiano, i cili ka mbërritur në territoritn italian pas një udhëtimi në Kinë. Megjithatë, ky rast nuk është konfirmuar ende.
Ndërkohë, Conte ka lajmëruar mbylljen e trafikut ajror për në Kinë. Rreth orës 10 të mëngjesit të sotshëm, Këshilli i Ministrave ka nisur mbledhjen urgjente për të përcaktuar masat që do të merren për të përballuar rrezikun nga virusi. Ndërkohë, lajmërohet se fluturimet e fundit nga Italia për në Kinë dhe nga Kina në Itali kanë përfunduar dhe janë ulur avionët e fundit që ishin parashikuar të bënin këto udhëtime.
Bëhet fjalë për dy fluturime të Air China që vinin nga Pekini dhe Shangai për në Romë. Pasagjerët u janë nënshtruar kontrolleve të sigurisë. Këta avionë do të nisen brenda ditës së sotme për në Kinë.
Ndërkaq, mediat italiane raportojnë se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave po diskutohet në lidhje me shpalljen e gjendjes së emergjencës për koronavirusin, por ende nuk dihet nëse ky shtet do ta shpallë emergjencën apo jo. Pritet përfundimi i mbledhjes për t’u njohur me vendimet e qeverisë fqinje.
***