Koronavirusi është shndërruar në një alarm për të gjithë botë dhe për pasojë, masat e sigurisë në Shqipëri po fillojnë të rriten. Madje, raportohet se në Rinas po bëhet një kontroll i imtësishëm ndaj personave që vijnë nga vendet aziatike.
Kështu ka deklaruar edhe mjeku Lorenc Harshorva, i cili për News 24 ka theksuar se masat po rriten, me mjetet e nevojshme për të kontrolluar të gjithë pasagjerët, si dhe për të izoluar në dhoma të veçanta rastet e dyshuara. Ky virus është përhapur shumë në Kinë, ku fatkeqësisht numri i viktimave dhe i të infektuarve sa vjen e rritet.
Më tutje, mjeku theksoi se janë pajisur edhe me termometra me lazer për matjen e temperaturës në distancë.
Mjeku tha:
Në aeroport ka një strukturë të përhershme të shëndetësisë, e përbërë nga mjekë specialistë. Në rastin konkret, u morën masa. Që para dy ditësh u mblodh grupi koordinator, që përbëhet nga specialistë të shëndetit publik. U morën masa dhe u lanë detyra për të gjithë. Shqipëria hyn te vendet me risk të vogël. Ne jemi të gatshëm për përballimin e çdo situate. Zyrat e kontrollit na informojnë neve, në momentin që konstatojnë se është futur një person nga vendet aziatike. Ne jemi ngjitur me zyrat e policisë. Sot në mëngjes erdhën një grup turistësh nga vendet aziatik. Ishin mbi 60 pasagjerë që u chekuan dhe që nuk kishin asnjë problem shëndetësor. Ne i fusim në dhomën e kontrollit shëndetësor të gjithë pasagjerët që vijnë prej andej. Kemi dhe një dhomë të izolimit të pasagjerëve, në rast se një turist është i dyshuar. Jemi të pajisur me të gjitha pajisjet mbrojtëse të këtyre rasteve, që nga ato më të lehta e deri te maskat e rasteve të rënda. Kemi dhe me termometra me lazer për matjen e temperaturës në distancë. Ne jemi të përgatitur për çdo lloj situate.