Edhe pse është viti 2020, në një shkollë në Peshkopi kushtet duken si në Mesjetë. Mësohet se nxënësit marrin dru me vete nga shtëpia për tu ngrohur në shkollë, pasi ata mund të ngrijnë në klasë nga të ftohtët.
Temperaturat janë shumë të ulëta dhe kaldajat nuk vihen në funksion në këtë shkollën 9-vjeçare. Ndërkohë, mësuesit kanë frikë të japin ndonjë prononcim në lidhje me këtë ngjarje.
Drejtuesit e Bashkisë kur u informuan për praninë e kamerës së Abc News në ambientet e shkollës dërguan një përfaqësues që kërkoi të filmonim kaldajën që u ndez dhe çuditërisht filloi të thotë se në qarkun Dibër ngrohja në shkolla është e garantuar.
“Të gjitha shkollat janë të furnizuara me dru dhe në shumë shkolla funksionon kaldaja”, thotë Agron Cara drejtor i shërbimeve Bashkia Dibër.
Që kjo kaldajë ndizet çdo ditë nuk të bind për sa kohë fëmijët shkojnë në shkollë me qeset plot me dru për sobën.
Gjithashtu mësohet dhe një fakt tjetër që vërteton se në këtë shkollë ngrohje nuk ka. Deputeti i opozitës jashtë parlamentit Xhemal Gjunkshi thotë se dhe orët e mësimit për këtë arsye nuk bëhen të plota.