Tabelën e shahut e ka zëvendësuar me një tavolinë të vogël. Mbi të ishte një kuti e vogël e xhamit. Mjeshtri ndërkombëtar i shahut, Nderim Saraçi, është në një mision të veçantë.
Saraçi ka disa ditë që ka dalë në sheshin “Zahir Pajaziti” për të mbledhur fonde për shërimin e motrës 27-vjeçare, Norës, raporton KTV.
Nora nga Mirovica është diagnostikuar me sëm undjen e rëndë leukemi akute dhe për ta vazhduar trajtimin jashtë vendit i duhet t’i mbledhë 200 mijë euro.
Ndihma nga qytetarët me aq sa kanë mundësi, nuk ka munguar as të mërkurën. Është hapur edhe një llogari në faqen “Gofundme.com”. Ndihmë do të kërkojë ditëve në vijim edhe në qytetin e tij, në Mitrovicë.
Nderimi nuk ka mundësi t’i ndihmojë financiarisht meqë nga ky sport, për një sezon, fiton vetëm 500 euro.
Megjithatë, ai është në gjendje të bëjë gjithçka për t’i dalë në ndihmë motrës së madhe.
Për t’i dalë në ndihmë motrës së Nderimit janë organizuar edhe turne humanitarë, ku edhe është mbledhur një shumë e konsiderueshme financiare.
Të tilla turne në shah do të ketë edhe në ditët në vijim dhe, për këtë, Nderimi i është falënderues Federatës dhe shahistëve brenda dhe jashtë vendit.
Nderimi nuk është shahisti i vetëm në familjen Saraçi. Ai dhe familjarë tjerë janë aktivë në garat e shahut.
Shahu për familjen Saraçi është pjesë e pandashme, por kampion i tyre është Nderimi.
Ai premton se për hatër të motrës së tij do të gjejë forcë për të arritur suksese edhe më të mëdha.
Saraçi, titullin Mjeshtër Ndërkombëtar i shahut e kishte fituar pas shumë dekadave, por ai tash ia ka mësyrë ta fitojë titullin Kryemjeshtër, titull që nuk e ka arritur askush në Kosovë.