Shumë e kanë sugjeruar si një kurë magjike për dobësim, por e kundërta qenka e vërtetë.
Uthulla e mollës përdoret nga shumë VIP-a, si Scarlett Johansson, Miranda Kerr e Beyonce, për të humbur peshë dhe për përfitime shëndetësore.
Por nutricionistët tashmë thonë se ajo nuk është “kura magjike” që ndihmon të bini në peshë, bazuar në studime shkencore. Nutricionistja Rhiannon Lambert thotë se ka prova të kufizuara se pirja e tij ndihmon në humbjen e peshës.
Gjithmonë është thënë se një lugë gjelle me uthull molle përzier në një gotë me ujë ndihmon në reduktimin e oreksit, e për pasojë të ndihmon të humbësh peshë. Beyonce është shprehur një herë se humbi mjaft kilogramë duke e pirë çdo ditë në mëngjes.
“Disa sugjerojnë se ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, përmirëson metabolizmin dhe djeg yndyrnat, gjë që i bën njerëzit ta mendojnë si një pije magjike”, thotë Rhiannon.
Ajo citon një studim të kryer në Japoni ku 175 japonezë u ndanë në dy grupe, ata që pinë dy lugë uthull molle për tre muaj dhe ata që nuk pinë. Sipas nutricionistet nuk kishte ndonjë ndryshim domethënës.
“Dua të theksoj se asnjë lloj uthulle nuk mund të përdoret si një dietë apo jetë sendentare. Megjithatë mund t’i shtohet mjaft mirë sallatës, por mos e mendoni si një kurë magjike që transformon trupin tuaj”, thotë më tej Rhiannon.