Pas motit kryesisht të vranët në orët e mëngjesit në të gjithë territorin tashmë dielli dhe kthjellimet janë ato që dominojnë.
Në zonën e jugut vranësirat mbeten prezente mesatare deri të dendura dhe shoqëruar lokalisht me reshje shiu me intensitet të dobët shkruan Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Por edhe në këtë zonë me kalimin e orëve vranësirat do të shpërbëhen dhe moti do të jetë kryesisht me kthjellime.
Për shkak të orëve me diell sot temperaturat patën rritje në vlerat e mesditës duke arritur në relievet malore 11ºC, në ato të ulta 16ºC dhe ato bregdetare 17ºC.
Edhe nesër pritet të jetë një ditë e bukur dhe me diell pavarsisht se duke nisur nga orët e pasdites do të ketë shtim vranësirash mesatare deri dhe të dendura.
Këto vranësira në zonën e qendrës dhe atë të veriut do të shoqërohen me reshje shiu të dobta në formë pikash dhe të lokalizuara.
Temperaturat e mëngjesit do të pësojnë rënie dhe parashikohen nga -4ºC në relievet malore deri në 5ºC në ato bregdetare.
Në mesditë pritet një rritje e lehtë e tyre duke u parashikuar nga 12ºC në zonat malore deri në 18ºC në ato bregdetare.