Një udhëtim drejt Italisë u kthye në një dramë për familjen e 58-vjeçarit shqiptar, Viktor Qosja.
58-vjeçari kishte shkuar në Itali për të vizituar vajzën dhe vëllain e tij, por u zhd uk në mënyrë misterioze të dielën (19 janar).
Pasi vizitoi të bijën, ai u nis me tren për në rajonin Viareggio, ku do të vizonte vëllain e tij.
Vajza e tij e shoqëroi në tren deri në Prato. Në Altopascio, treni u detyrua të ndalej për shkak të një avarie, ndërsa pasagjerët u transferuan në një autobus.
Ky është vendi i fundit në të cilin është lokalizuar 58-vjeçari shqiptar, për të cilin që nga ky moment nuk dihet asgjë.
Ai nuk flet italisht dhe mendohet se nuk i ka kuptuar shenjat e stafit hekurudhor dhe as nuk ka qenë në gjendje për të kërkuar ndihmë.
Rasti i Viktor Qosjas është bërë publik mbrëmjen e sotme në emisionin italian “Chi l’ha Visto”, ku familjarët kërkuan ndihmën e të gjithë atyre që e kanë parë ose kanë informacion mbi vendndodhjen e 58-vjeçarit shqiptar të lajmërojnë autoritetet përkatëse.
Ai është rreth 1.70 m i gjatë, 75 kg, me flokë të bardha dhe sy kafë. Në momentin kur u zhd uk, ai kishte veshur pantallona të zeza, një xhaketë blu dhe kishte me vete një karrocë rozë.