Pluton Vasi, regjisori i njohur shqiptar, ka fituar çmimin “Regjisori më i mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Londër. Ai konkurroi me filmin “Ndërkombëtarët”, i cili u nominua në tre kategori: Skenari më i mirë, Regjia më e mirë dhe Filmi më i mirë në gjuhë të huaj.
“Ndërkombëtarët” është komedi e zezë dhe rolin kryesor e luan aktori Eni Shehu dhe kasti i aktorëve përfshin dhe: Ardian Cerga, Hervin Çuli, Karafil Shena, Rovena Lule, Kastriot Çaushi, Alfred Trebicka, Lulzim Zeqja, Eriona Kakeli, Alert Çeloaliaj, Adele Gjoka etj.
Regjisori njihet për individualitetin e tij në krijimtari dhe krijimtaria e tij si regjisor dhe skenarist përfshin filma artistikë si “Maya”, “Këtu bën ftohtë” etj dhe filma dokumentarë si “Ata ikën drejt qiellit”, “Ortek në tri kohë”, “Rrathët” etj.
Filmi “Ndërkombëtarët” klasifikohet te filmat artistikë dhe trajton gjendjen e shoqërisë shqiptare në Tranzicion. Regjizori është shprehur se në film flet për marrëdhëniet e vështira të shqiptarëve me njëri-tjetrin.